Kinematografia shqiptare shkon në Romë, ja 9 filmat e përzgjedhur

102

Në Romë nis sot festivali i filmit ”Albania, Si Gira”. Festivali, që sjell javën e kinemasë shqiptare në Romë do të zhvillohet në datat 4-7 prill. Nëntë filma që janë realizuar nga Kinostudio, por dhe pas viteve ’90 nga regjisorë të njohur shqiptarë janë pjesë e festivalit “Albania, Si Gira”, që do të zhvillohet në Casa del Cinema në Romë.

Në program do të jenë filmat: “Lulëkuqet mbi mure” (Dhimitër Anagnosti, 1976); “Njeriu me top” (Viktor Gjika, 1977); “Gjeneral gramafoni” (Viktor Gjika, 1978); “Koncert në vitin 1936” (Saimir Kumbaro, 1978); “Letra ere” (Edmond Budina, 2003); “I dashur armik” (Gjergj Xhuvani, 2004); “Lindje Perëndim Lindje” (Gjergj Xhuvani, 2009); “Amaneti” (Namik Ajazi, 2014); “Bota” (Iris Elezi, Thomas Logoreci, 2014), si dhe “Il mio zio italiano” lexim skenik nga Eliza Çoba. Filmat do të jenë në gjuhën origjinale, por të subtitruar në italisht për publikun italian.

Festivali “Albania, Si Gira” – Italia dhe italianët në kinematografinë shqiptare gjatë dhe pas komunizmit është një projekt i shoqatës artistike Cultural Pro, i ideuar nga Fabio Bego dhe organizohet nën drejtimin artistik të Nensi Bego, me bashkëpunimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e të Ambasadës shqiptare në Romë.