Kjo është historia më frymëzuese që do lexoni për sot

64

30 vite më parë. Kishte ardhur koha për të dalë në pension. Pas një karriere të gjatë si avokate, Olga Murray vendosi të bëjë një udhëtim në një vend që s’kishte qenë kurrë më parë.

Shkoi në Nepal.

“Rashë në dashuri me atë vend. Buzëqeshja e fëmijëve atje… ata donin të shkonin në shkollë”-kujton e moshuara.

Që nga ajo kohë kanë kaluar 30 vite, por sot Olga, e cila është plot 96 vjeç, e kujton me gëzim udhëtimin e saj. Kjo sepse 30 vite më parë ajo vendosi të bëjë diçka për fëmijët atje. I kushtoi jetën dhe të gjitha energjitë. Ngriti në këmbë një fondacion për fëmijët dhe prej 3 dekadash ka ndihmuar dhjetëra mijëra prej tyre.

“I thashë vetes, e di çfarë do të bësh për pjesën e mbetur të jetës? Do të ndihmosh dhe edukosh këta fëmijë”-thotë 96 vjeçarja. Fondacioni i kësaj gruaje ka bërë jo pak. Përkundrazi. Ka ndërtuar 72 spitale e shkolla dhe ka ndihmuar në edukimin e mëse 50 mijë fëmijëve në Nepal.

E përtej 30 viteve në shërbim e në ndihmë të fëmijëve në Nepal, kjo grua që po shkon afër të 100-tave, as që ka ndërmend të ndalojë. Thotë se derisa të ketë fuqi, nuk do të reshtë.

“Nuk kam ndërmend të ndaloj dhe derisa të më punojë mendja e të jem mirë nga shëndeti, do vijoj të punoj, të ndihmoj”-përmbyll rrëfimin e saj 96 vjeçarja.

Siç duket, nuk është kurrë vonë për t’ia nisur dhe mosha është preteksti i gabuar.