Komisioni Europian miraton paketë 70 milionë euro për Ballkanin Perëndimor

28

Komisioni Europian miratoi sot një paketë prej 70 milionë eurosh në kuadrin e Instrumentit për Para-Anëtarësim (IPA II) për të ndihmuar financimin e qasjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat COVID-19 të siguruara nga shtetet anëtare të BE-së.

Paketa do të shpërndahet në formën e granteve që do të ndihmojnë për mbulimin e kostos së vaksinave për grupet me përparësi në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme të vaksinimit. Kjo do t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor të blejë një numër vaksinash nga Marrëveshjet e Avancuara të Blerjeve të BE-së me gjashtë prodhues, me shtetet anëtare individuale të BE-së që do të ndajnë një pjesë të dozave të tyre të paracaktuara.

Ndërsa BE-ja vazhdon të mbështesë nismën COVAX, struktura botërore për të siguruar qasje të drejtë dhe universale në vaksinat COVID-19, dhe gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar atë, dorëzimi i vaksinave sipas kësaj skeme pritet të fillojë më vonë se fushatat e vaksinimit në BE. Qasja në një numër dozash nga marrëveshjet e blerjes së BE-së do t’i mundësojë rajonit të nisë vaksinimet paralelisht me shtetet anëtare të BE-së.

Komisioni dhe Qendra Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve po e ndihmojnë gjithashtu rajonin për finalizimin e strategjive të vaksinimit në përputhje me rekomandimet e Komisionit për të siguruar përgatitjen e duhur të fushatave dhe administrimin e vazhdueshëm të vaksinave.

BE-ja po financon gjithashtu një projekt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të ndihmuar në menaxhimin e logjistikës dhe shpërndarjen e vaksinave.

Komisioni Europian është i përkushtuar të sigurojë që të gjithë ata që kanë nevojë për një vaksinë ta marrin atë, kudo në botë. Kjo është arsyeja pse menjëherë iu përgjigj thirrjes së OBSH-së për veprim dhe ka ndihmuar për mbledhjen e gati 16 miliardë eurove që prej 4 majit 2020 në kuadrin e Reagimit Global ndaj Coronavirusit, veprimi global për qasje universale në teste, trajtime dhe vaksina kundër koronavirusit, si dhe për rimëkëmbjen globale.

Struktura COVAX është shtylla e vaksinave e nismës Access to Covid-19 Tools (ACT) Accelerator, një bashkëpunim global për të përshpejtuar zhvillimin, prodhimin dhe qasjen e barabartë në testet, trajtimet dhe vaksinat kundër COVID-19. Mbi 870 milionë euro janë njoftuar deri më tani nga BE-ja dhe shtetet anëtare të BE-së për COVAX-in. COVAX synon të blejë 2 miliardë doza deri në fund të vitit 2021, përfshirë mbi 1.3 miliardë për vendet në zhvillim. Kjo do të ndihmojë zhvillimin e një portofoli të diversifikuar të vaksinave, negociuar me furnizues të ndryshëm, si dhe mbulimin e teknologjive të ndryshme shkencore, kohën e dorëzimit dhe çmimet.

Pjesëmarrja e BE-së në COVAX plotëson negociatat e vazhdueshme të BE-së me kompanitë e vaksinave, të nisura në bazë të Strategjisë së Vaksinave të BE-së. Përpjekjet e BE-së për të zhvilluar dhe prodhuar një vaksinë efektive do të jenë në përfitim të të gjithëve në komunitetin global.

Investimi i BE-së në rritjen e kapacitetit prodhues do të jetë në shërbim të të gjitha vendeve në nevojë. Përmes Marrëveshjeve të Avancuara të Blerjes, u kërkon prodhuesve të bëjnë të disponueshëm kapacitetin e tyre të prodhimit për të furnizuar të gjitha vendet, si dhe bën thirrje për rrjedhën e lirë të vaksinave dhe materialeve pa kufizim eksporti.

Komisioni po koordinon gjithashtu dhurimin e disa prej dozave të siguruara nga shtetet anëtare të BE-së për vende të ndryshme partnere, për të garantuar qasjen e tyre të hershme në vaksinat COVD-19 për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe popullatat në nevojë, derisa vaksinat përmes COVAX-it të jenë më gjerësisht të disponueshme.