Kompania amerikane blen kompaninë Kosovare të produkteve softuerike

181

KODE Labs, kompani e specializuar në IoT për ‘commercial real estate’ me bazë në Detroit, ka blerë ZAG Apps, kompani e teknologjisë që merret me zhvillimin e produkteve softuerike.

Blerja e ZAG Apps, selia e së cilës ndodhet në Prishtinë, është shembull që tregon se edhe në Kosovë mund të ndërtohen kompani atraktive për tregun ndërkombëtar.

E regjistruar në vitin 2013, ZAG Apps ka zhvilluar mbi 50 aplikacione për smartphone dhe ueb, të cilat kanë qenë në shërbim të miliona përdoruesve, si dhe u ka shërbyer më shumë se 30 klientëve nga mbarë bota.

Që nga viti 2017, kur dhe është themeluar kompania, KODE Labs ka bashkëpunuar me ZAG Apps për të zhvilluar softuerë të personalizuar për partnerë strategjik dhe softuerë për ‘smart buildings’.

Së bashku, dy kompanitë kanë marrë përsipër projekte për kompani të mëdha të ‘commercial real estate’ si dhe për kompani ndërtimore në të gjithë SHBA-në.