Korrik-shtator, punësimi rritje vjetore me 53 mijë persona. Ja dy sektorët që kontribuan më shumë

12

Në tremujorin e tretë të vitit 2022 rezultuan rreth 53 mijë të punësuar më shumë se e njëjta periudhe e një viti më parë raportoi sot INSTAT.

Rritja i dedikohet rritjes së punësimit në sektorit e bujqësie dhe shërbimeve, nga rritja e turizmit, ndërkohë që industria shënoi rënie.

Për rrjedhojë treguesi i papunësisë shënoi ulje në rekorde historike. Sipas INSTAT në tremujorin e tretë 2022, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 10,6%.

Shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,7 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2021, dhe u ul me 0,5 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 9,9% dhe për gratë 11,3%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e papunësisë është ulur me 1,0 pikë përqindje për burrat dhe është ulur me 0,4 pikë përqindje për gratë.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2022, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 65,4 %. Ritmi vjetor i ndryshimit të punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2021 në tremujorin e tretë 2022, është + 4,2%.