Kosha për mbeturina të diferencuara, qytetarët në Durrës mbështesin projektin

3

Prej rreth një jave, në rrugët kryesore të Durrësit dhe në zonën e plazhit janë vendosur 300 kazanë plastikë për diferencimin e mbetjeve urbane që në burim.

Mirëpo nga vëzhgimi në terren, rezulton se qytetarët durrsakë nuk i ndajnë mbetjet në kazanët respektivë.

“Përse në këto ditë të para asgjë nuk ka ndryshuar? Është ky një rezultat i mungesës së fushatave sensibilizuese, apo mungesë vullneti për t’i ndarë? Për këtë qytetarët ndahen në mendime.”

“Kulturë nuk ka me thënë të drejtën, por nuk janë dhe të informuar.”- thotë një qytetare.

“Nga grumbullimi i madh i hedhin edhe në tokë. Plus këta në shtëpitë private pastrojnë kopshtet dhe nuk i hedhin, koshi bosh ato i hedhin në tokë, i vënë dhe flakën.”- shprehet një tjetër.

“Unë kam qenë në Itali te fëmijët dhe atje i ndaja.”- nënvizon e moshuara.

“Se ne i kemi parë dhe ndarë andej, kur shkojmë tek fëmijët, siç na thonë ata. Edhe këtu e bëjmë po të jetë. Edhe unë në shtëpi vendos dy kosha. Në një vend vendos letrat e kartonat e në një tjetër këto tjerat.”- thotë një tjetër qytetare.

“Do e bëjmë dhe ne, do bëhemi të kulturuar me zor përderisa kanë sjellë koshat, se nëse ai nuk i hedh aty ku duhet, duhet të gjobitet, unë jam e para.”- shton një tjetër.

Ndarjen nuk e respekton as vetë bashkia, sepse mbetjet nga kazanët mblidhen të gjithë njësoj.

“Nëse bashkia nuk ka mjete t’i transportojë kështu koshat, atëherë kot që i vendos, vetëm për të na gënjyer ne.”-thotë i moshuari.

“Nëse unë i hedh shishet këtu e plehrat këtu, kurse bashkia i mbledh bashkë, ç’kuptim ka pastaj?”

“Po do t’i bëjmë edhe kamionët se sa marrin lekë për vete ata, të punësojnë njerëz e makinat e të vijnë t’i marrin, pse jo?”- thekson qytetarja.

Në një pikë, qytetarët e Durrësit bien dakord. Ky është një projekt i vonuar.

“30 vjet, shumë e vonuar.”- shprehet i moshuari.

“Shumë e vonuar. Se është katastrofë të mos e shohim këtë Shqipëri kaq të bukur sa është, si gjithë bota. Pse mos të bëhemi dhe ne si të gjithë, që t’i hedhim mbeturinat atje ku duhet?”- thotë një grua.

Momentalisht kazanët janë ndryshuar vetëm në pikat kryesore të qytetit, por jo në ato periferike.

Atje ky projekt pritet të nisë të implementohet në vitin 2023.

euronews.al