Krilla me çafkë, shpendi më i ri në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta (FOTO)

21

Një lloj i ri shpendi për Shqipërinë, krilla me çafkë apo zonja krillë (Anthropoides virgo), u vrojtua ditët e fundit pranë kufijve veriorë të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Ky shpend u vrojtua nga gazetari dhe kundruesi i shpendëve, Louis Seiller më 16 maj.

“Falënderojmë Louis Seiller për ndarjen me ne të këtij vrojtimi tepër interesant që e rrit listën e shpendëve të Shqipërisë me një lloj dhe një gjini të re, duke i çuar përkatësisht në 363 lloje dhe 197 gjini”, – bën të ditur  “Shpendët e Shqipërisë”.

Hapësira më e afërt e folezimit të këtij lloji me vendin tonë është skaji veri-lindor i Detit të Zi, më tej kjo hapësirë shtrihet në të gjithë Azinë Qendrore dhe në një pjesë të Azisë Lindore.

Ky lloj dimëron në gadishullin Indian dhe në disa vende të Afrikës sikurse janë Etiopia, Sudani, Sudani i Jugut dhe Çadi. Gjatë shtegtimit, shihet në të gjitha vendet që lagen nga Deti i Zi, si dhe padyshim në Lindjen e Mesme dhe sërish në hapësirat jugore midis zonave të folezimit dhe gadishullit Indian.