Kriteret dhe dokumentacioni për të marrë pensionin e pleqërisë

930

Të moshuarit që kanë plotësuar moshën e përcaktuar me ligj dhe kenë minimumi 15 vite punë me kontribute mund të përfitojnë pension pleqërie. Aktualisht mosha e daljes në pension për gratë është 60 vjeç e 10 muaj, ndërsa në 2020 do të jetë 61 vjeç. Sakaq, burrat duhet të jenë mbi 65 vjeç, në mënyrë që të mund të marrin këtë lloj pagese (mosha fillon rritet që nga viti 2033 me nga 1 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç në vitin 2056). Sipas reformës së re të vitit 2014-të, masa e përllogaritjes së pensionit varet nga vitet e punës dhe paga, pra pensioni është produkt i viteve të sigurimit dhe pagës mbi të cilin janë paguar kontributet. Sa më shumë vite të ketë aplikanti dhe sa më e lartë të ketë qenë paga e tij, aq më e lartë do të jetë masa e përfitimit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se vjetërsia e plotë e kontributeve për të dyja gjinitë është 35 vite e 8 muaj, e cila rritet me 4 muaj në vit, për të arritur me 40 vite në vitin 2029.

Përllogaritja

Formula e përllogaritjes së pensionit të pleqërisë është: Pension social (bazë) plus një shtesë që është 1% për çdo vit sigurimi, për çdo vit punë, të bazës mesatare të vlerësuar për gjithë periudhën që individi ka paguar kontributet. Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit, si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994. Një qytetar që ka filluar punën në vitin 1975 deri në 2018-ën pa ndërprerje ka 43 vite pune me kontribute. Pensioni do të llogaritet nga viti ’75 kur individi ka filluar punë për herë të parë, deri në 2018-ën me pagat që ai ka gëzuar. Në 2007-ën, u mor një vendim i Këshillit të Ministrave që quhet “Vendimi i Këshillit të Ministrave për pagën mesatare për bazën e vlerësuar për efekt llogaritje të pensioneve” ose siç quhet ndryshe paga referuese. Ky është një vendim unik që ka të përcaktuar në disa tabela të veçanta, llojin e punës që ka bërë individi nga dita që ka filluar punën deri në ditën që e ka lënë atë. Këto paga referuese i shërbejnë individit nga dita që ka filluar punë deri në 31 dhjetor të 1993-it e këto paga kanë koeficientet e vet të indeksimit.

Kushtet e përfitimit

a)Personat që kanë moshën dhe periudhat e sigurimit, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pleqërisë.
b)Nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë mbi 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi.
PENSIONI I PLOTË I PLEQËRISË SI NËNË ME SHUMË FËMIJË
Kushtet e përfitimit:
a) Personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë kur:
b)Plotësojnë moshën 55 vjeç.
c) Kanë 30 vjet periudhë sigurimi.
d) Janë tërhequr nga veprimtaria ekonomike.
e) Kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur mbi 8 vjeç.
Masa e pensionit të pleqërisë:
nPensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar në moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social.
nShtesa do të jetë 1% për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive.
n Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

Dokumentacioni

Fotokopje e kartës së identitetit.
Certifikatë e gjendjes familjare.
Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra).
Vërtetim nga komuna/bashkia për ndryshimin e gjeneralitetit.
Vërtetim nga qendra e fundit e punës për gjeneralitetin.
Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe certifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje për fëmijët që nuk figurojnë në certifikatën e gjendjes familjare.
Dy fotografi.
Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës.
Libreza e punës.
Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
Vendimi i emërimit në punë, si kuadër në ish-kooperativat bujqësore.
Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme).
Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj).
Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët.
Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
†Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” duhen edhe:
Vërtetim i gjendjes gjyqësore.
Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit. lëshuar nga Ministria e Rendit Publik.
Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Çdo dokument tjetër justifikues që vërteton qenien në punë.
Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:
Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994).
nÇdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.