Kroçera “MS Amadea” me 700 turistë të huaj viziton Durrësin

3

“MS Amadea” është dallëndyshja e fundit, e cila ndalet në Portin e Durrësit për këtë vit kalendarik, duke përmbyllur me sukses sezonin, përsa i përket fluksit të lartë të turistëve, që kanë vizituar vendin nëpërmjet anijeve turistike.

Kroçera “Ms Amadea” ka mbërritur mëngjesin e sotëm nga Porti i Korfuzit, Greqi, nga ku ka sjellë mbi 700 turistë të huaj, të cilët gjatë qëndrimit një ditor do të vizitojnë sitet arkeologjike të Durrësit, Tiranës dhe Krujës.

“MS Amadea” lundron nën flamurin e ishujve Bahamas, ka një gjatësi rreth 193 metra dhe gjerësi 28 metra. Në përfundim të vizitës së saj në Durrës, anija do të niset drejt Portit të Dubrovnikut, Kroaci për të vijuar eksplorimin në brigjet e Mesdheut.

Durrësi ka qënë ndër itineraret e përzgjedhura të anijeve turistike dhe jahteve këtë sezon duke e kthyer në një prej destinacioneve të preferura për turistët e huaj.

Ndërkohë që gjatë periudhës prill-tetor 2023, janë ndalur 23 kroçera turistike me mijëra turistë të huaj në Portin e Durrësit.

Autoriteti Portual Durrës përgjatë këtij sezoni ka vënë në dispozicion kalata të dedikuara në funksion të pritjes së mjeteve turistike duke rritur standardet e sigurisë në territorin portual.

/ata.gov.al