Krujë, ekspozita me veshjet popullore të shqiptarëve zgjon kureshtjen e vizitorëve të huaj

4

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) solli sot në Krujë ekspozitën “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.

Përmes kësaj ekspozite shpaloset larmia e kostumeve popullore të trevave nga mbarë trojet shqiptare, për ta njohur dhe për ta promovuar trashëgiminë kulturore kombëtare.

Ekspozita zgjoi kuriozitetin e vizitorëve të huaj, që këto ditë gushti kanë zgjedhur të vizitojnë Krujën si dhe të qytetarëve të shumtë. Ata patën mundësinë të vrojtonin imazhe që shpalosnin larmishmërinë dhe veçantitë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.

Materialet e përzgjedhura nga DPA-ja i ofruan vizitorëve një fushëpamje të gjerë të tematikës. Mes këtyre materialeve gjendeshin imazhe të figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare); kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e veriut, të Shqipërisë së mesme; Shqipërisë së jugut, kostumeve popullore të trevave të shqiptarëve jashtë trojeve dhe kostumeve popullore nën petkun fëmijëror (kostume të vajzave).

/ata.gov.al