Kryevepra e letërsisë botërore ripërkthehet në shqip

8

Është një nga kryeveprat e botës. i pashmangshëm, një përrua për letërsisë që mori jetë 100 vite më parë e që përkthehet, ripërkthehet, studiohet, lexohet, sfidohet, por që qëllon të jetë gjithnjë fitimtar. “Uliksi” i James Joyce, konsideruar një libër homerik ka qenë më herët i përkthyer në shqip, por në A2 CNN ju rrëfejmë një tjetër prezantim, një gjuhë e shkëlqyer, vlerësuar nga Instituti Irlandez, si një vepër madhore sa i përket edhe ripërkthimit.

Në 100-vjetorin e “Uliksit” botuesi Rexhep Hida, tashmë 30 vite pasi i solli shqiptarëve “Të huajin” e Kamysë, Prustin dhe shumë kryevepra botërore, disa prej të cilave të ndaluara, tanimë bën një tjetër hap, drejt ripërkthimit të Uliksit, drejt një hapi tjetër që kërkon letërsia dhe lexuesi në shqip, atë të përballjes me ripërkthimin e një vepre madhore si “Uliksi”. “Është vepra më e madhe e shekullit XX, mbase edhe e të gjitha kohërave”, thotë botuesi Rexhep Hida.

Por, sa e vështirë ka qenë kjo punë për përkthyesin Krenar Hadëri, që numëron mbi 30 vite përvojë në lëmin e përkthimit e cilat janë shtigjet nëpër të cilat ka kaluar për ta sjellë në shqip këtë vepër. “Pavarësisht se libri është përkthyer nga anglishtja, si bazë, më është dashur të bëjë gjatë gjithë kohës krahasime të shumta me versionin e frëngjishtes dhe spanjishtes, për të parë sesi e kanë trajtuar. Sepse ka mjaft momente ku nuk jepet tamam kuptimi i saktë në kohën e sotme”, thotë Hadëri.

E megjithatë, ai tregon se ky pasion për të risjellë me Uliksin sot është një arritje profesionale që ai e shijon po aq sa edhe vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar. Ndaj, tanimë që ka mbyllur fletët e librit, por edhe të shënimeve, ia lë në dorë kritikës të përballë dy versionet e “Uliksit” në shqip, ndonëse kjo e fundit i mungon letërsisë shqipe.

Një pjesë të kritikës së librit kryesisht e bën edhe redaktori që e pastron, e lëmon gjuhën, e sheh si lexuesi kritik veprën të cilën e ka marrë të përfunduar nga përkthyesi. Në takimin e prezantimit të “Uliksit” edhe profesori Ilia Lëngu ndau ngjarje të botës letrare shqiptare për të shënjuar jetën artistike të “Uliksit” në shqip. Ai veçoi se si Kadare e quante titanike këtë vepër në tekstet e letërsisë, e se si ky vlerësim i Kadaresë u dogj nga sistemi.

Titani u rikthye sërish pas 100 vitesh, i ripërkthyer për lexuesin shqiptar, që këtë vepër mund ta konsiderojë si dhuratën artistike të ditëlindjes së një libri që jo vetëm i ka mbijetuar kohës, por që ka triumfuar kundrejt epërsive të reja letrare, që nuk e anashkalojnë dot.

a2news.com