Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot mikun e shqiptarëve Zhysten Godar (Justin Godart).
Godar ishte personalitet politik francez me ide përparimtare, deputet dhe ministër në qeverinë e Francës gjatë Luftës I Botërore, mik i Shqipërisë, të drejtat e së cilës i mbrojti në arenën ndërkombëtare.
Vizitoi Shqipërinë disa herë, në periudha të ndryshme: së pari më 1921, pasi kishte ngritur zërin në përkrahje të të drejtave kombëtare të Shqiptarëve të marra nëpër këmbë nga Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës I Botërore dhe nga shtetet fqinje ballkanike, dhe së fundi, më 1950, kur ishte zgjedhur kryetar nderi i shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri.
Godar shkroi dy libra për Shqipërinë: “L’Albanie en 1921” (“Shqipëria më 1921”) dhe “L’Albanie en 1922” (“Shqipëria më 1922”), botuar të dy në Paris 1922, në të cilët shprehu besimin në veprimtarinë e forcave demokratike të popullit shqiptar. La pa përfunduar, për shkak të vdekjes, librin “Shqipëria më 1950”. Është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” Klasi I. U nda nga jeta më 12 dhjetor të vitit 1956.
Referenca: ata.gov.al