Kulla Veneciane, së shpejti i rikthehet publikut/ Do të “flasë” përmes programeve teknologjike multimediale

28

Kulla Veneciane në Durrës së shpejti do i rikthehet publikut. Një nga monumentet më simbolike të qytetit të Durrësit, Kulla Veneciane po shndërrohet në një qendër informacioni dhe interpretimi të historisë së qytetit, për vizitorët.

Ky transformim vjen falë programit EU4Culture dhe UNOPS. Përveç restaurimit, falë programit EU4Culture, kulla do të “flasë” përmes programeve teknologjike multimediale. Procesi i pajisjes teknologjike do të nisë pas përfundimit të restaurimit.

Programi EU4Culture financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Me një buxhet total prej 40 milionë euro, EU4Culture shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 me ndërhyrje të planifikuara në një sërë objektesh të Trashëgimisë Kulturore. Përveç restaurimit, do të investohet në rijetëzimin e siteve të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të vendndodhjes.