Kumbullat e Stinës – Vlerat që Përfitoni Direkt në Organizëm

9

Kumbulla i përket familjes botanike Rosaceae që përfshin pjeshkat, kajsitë dhe nektarinat. Kumbullat i gjejmë në ngjyra dhe forma të ndryshme në plot 2000 varitetete.

Në vendin tonë, prodhimi më i lartë i kumbullave vërehet në zonat e Fierit, Lushnjës, Beratit, Korçës, Pogradecit, Shkodrës dhe Shqipërisë së Mesme. Kumbullat mund të konsumohen të freskëta, mund të thahen ose mund të përpunohen.

Kumbullat janë një burim i pasur vlerash shëndetësore, vitaminash dhe mineralesh.

Ato përmbajnë vitamina të rëndësishme si A, C, K, B1,B2, B3 ,B-6 dhe vitaminë E.

Kumbullat përmbajnë minerale të çmuara si: kaliumi, fosfori, magnezi, hekuri, kalciumi dhe zinku. Ato janë burim i pasur fibrash dhe kanë pak kalori.

Vlerat shëndetësore të kumbullës

Antioksidantët

Kumbullat përmbajnë vitaminë C dhe fitonutrientë. Këto përbërës kanë vlera anti oksiduese që parandalojnë dëmin e shkaktuar nga radikalet e lira.

Substancat që gjenden tek kumbulla ofrojnë mbrojtje të yndyrnave thelbësore tek neuronet dhe membranat e qelizave kundrejt çdo sulmi që mund të shkaktohet nga stresi apo vetë proçesi i oksidimit.

Diabeti

Kumbulla ka efekt anti hiperglicemik dhe ndihmon në luftimin e diabetit.

Studimet kanë treguar që konsumimi i kumbullave ndihmon në reduktimin e glukozës dhe triglicerideve në gjak.

Flavonoidët që gjenden tek kumbulla kanë vlera mbrojtëse kundër rezistencës së insulinës në organizëm.

Sistemi kockor

Konsumimi i kumbullave të thata ndihmon në ruajtjen e shëndetit të kockave.

Flavonoidët tek kumbullat parandalojnë përkeqësimin e indeve të kockave dhe si rrjedhojë sëmundjen e osteoporozës tek femrat pas menopauzës.

Falë përmbajtjes së tyre, kumbullat e thata inkurajojnë formimin e kockave, dendësinë e tyre dhe ndalojnë shkatërrimin e tyre si pasojë e mungesës së hormoneve apo plakjes.

 

Tretja

Kumbullat janë një burim i pasur fibrash që rregullojnë sistemin tretës. Sipas studimeve, kumbullat e njoma ose ato të thata janë tepër efektive për të trajtuar çrregullimet në tretje siç është edhe konstipacioni.

Sistemi nervor

Kumbulla përmban vitaminë B-6, që ndihmon në transmetimin e sinjaleve nervore dhe ruan funksionimin e mirë të të gjithë sistemit.

Ato ndihmojnë në zhvillimin e trurit dhe formimin e hormoneve që kanë ndikim tek humori ynë.

Triptofani është një amino acid që ndihmon në prodhimin e neurotransmetuesit serotoninë që luan një rol të rëndësishëm për gjumin, oreksin dhe përqëndrimin.

Shëndeti kardiovaskular

Konsumimi i kumbullave ruan shëndetin e zemrës. Sipas studimeve, nëse i konsumoni kumbullat e thata rregullisht, një gjë e tillë do të përmirësojë qarkullimin e gjakut në arterie. Por jo vetëm kaq.

Kumbullat parandalojnë disa çrregullime kardiake, zhvillimin e aterosklerozës dhe ulin rrezikun për atakun në zemër.

Sistemi imunitar

Kumbullat janë të rëndësishme për të forcuar sistemin imunitar falë pranisë së vitaminës C. Ato forcojnë rezistencën e trupit ndaj infeksioneve të ndryshme dhe inflamacioneve. Studimet kanë treguar që kumbullat luajnë rol parandalues për zhvillimin e qelizave të dëmshme dhe kanë vlera të mëdha në parandalimin e një sërë sëmundjeve të tjera.

Ruan nivelet e kolesterolit

Lëngu i kumbullës ruan kolesterolin e mëlçisë në nivele normale. Fibra nga ana tjetër mbron zemrën duke ulur kolesterolin e keq dhe rritur kolesterolin e mirë.

Ankthi

Konsumimi i rregullt i kumbullave ul ankthin. Sipas studimeve, kumbullat janë një burim i pasur antioksidantësh dhe acidesh që ofrojnë zgjidhje kundër disa sjelljeve të shkaktuara nga ankthi dhe dëmeve nga stresi.

/agroweb.org