Kura natyrale që mund të aplikoni për uljen e nivelit të yndyrnave në gjak

53

Nivelin e yndyrnave në gjak mund ta ulni nëpërmjet disa trajtimeve natyrale pa përdorur medikamente. Sipas të dhënave ekspertët rekomandojnë mënyrat e mëposhtme natyrale për uljen e nivelit të yndyrnave në gjak.

Kufizimi i sheqerit: Kufizimi ose eliminimi i sheqerit është një mënyrë e mirë për uljen e nivelit të yndyrnave. Këtu përfshihen edhe ëmbëlsuesit natyralë, siç është edhe mjalti. Në vend të sheqerit mund të hani fruta dhe mos përdorni ëmbëlsues artificialë, që kanë pasoja të dëmshme në shëndet.

Eliminoni bukën dhe makaronat: Buka e bardhë, makaronat e patatet përmbajnë niseshte, një karbohidrat që ka një vlerë të lartë glicemie e që rrjedhimisht mund të rrisë nivelet e sheqerit dhe të yndyrnave në gjak. Në vend të tyre mund të zgjidhni drithëra të plota, elb, perime, fara.

Aktiviteti fizik: Duke qenë se mbipesha dhe obeziteti kanë lidhje të drejtpërdrejtë me yndyrnat në gjak, këshillohet që të kryeni aktivitet fizik për 30 minuta në ditë, pesë herë në javë duke rritur intensitetin e stërvitjes. Një studim ka zbuluar se vetëm një orë pas aktivitetit fizik, niveli i yndyrave ulet.

Shmangni yndyrnat e ngopura: Për të ulur yndyrnat në gjak, shmangni yndyrnat me bazë shtazore. Këto yndyrna gjenden tek mishi i kuq, gjalpi dhe djathi. Vajrat vegjetalë janë kryesisht të shëndetshëm përveç atyre që përpunohen. Për shembull, shumica e ushqimeve të skuqura apo industriale përmbajnë yndyrna të dëmshme.

Kufizimi i alkoolit: Kaloritë e tepërta të marra nga alkooli konvertohen shumë shpejt në yndyrna dhe magazinohen në trup. Nëse nuk hiqni dorë totalisht nga alkooli mundohuni të paktën të përgjysmoni sasinë e konsumuar rregullisht.