Kura ndaj COVID-19/ Shkencëtarja shqiptare në krye të ekipit në SHBA

101

Kontributi i komunitetit shqiptar në luftën globale kundër pandemisë COVID-19 është për t’u vlerësuar.

Studimi më i fundit dhe më i besueshmi, në bazë të organizimit, strukturës së studimit dhe numrit të pacientëve, për efektin e terapisë anti-virale, Remdesivir, ndaj COVID-19 tregoi rezultate premtuese, bazuar në analizat preliminare. Ky studim u sponzorua nga Instituti Nacional për Alergji dhe Sëmundje Infektive (NIAID), pjesë e Instituteve Nacionale të Shëndetësisë të SHBA (NIH).

Studimi nuk ishte i hapur për publikun deri dje, dhe kjo është arsyeja pse askush nuk ishte në dijeni që aspekti i tij farmaceutik për Qendrën Klinike të Institucionit Nacional të Shëndetësisë (NIH) u drejtua nga Dr. Zana Blaku-Tanushi, që është me origjinë nga Prishtina.

Dr. Zana Blaku-Tanushi punon si farmaciste klinike në fushën e kërkimeve shkencore në mjekësi, në qendren klinike të Institutit Nacional të Shëndetësisë (NIH).
Sipas Dr. Blaku-Tanushi, edhe pse rezultatet janë ende preliminare dhe duhet të bëhet analizë e plotë e të gjitha të dhënave, ky është një hap premtues drejt krijimit të një armamentariumi efektiv në menaxhimin e këtij virusi. Remdesivir është një antiviral, prodhuar nga GILEAD Sciences, Inc, i cili është një analog nukleozid, konkretisht një analog i adenozines tre-fosfate (ATP), i cili futet në zinxhirët e ARN-së virale, duke shkaktuar ndërprerjen e tyre të parakohshme.

E lindur në Prishtinë, Dr. Blaku-Tanushi mbërriti në Shtetet e Bashkuara në 1999 si refugjate nga Kosova. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Neë York, ajo u regjistrua në Universitetin St. John’s në Nju Jork, ku përfundoi studimet Bachelor në Farmaci, dhe më pas vazhdoi në Programin e Doktoratures në Farmaci në po të njëjtin Universitet. Pasi përfundoi studimet e doktoratës, ajo filloi praktiken në Spitalin Montefiore, Spitalin Universitar për Kolegjin e Mjekësisë Albert Einstein, ku iu ofrua pozita e përhershme sapo mbaroi praktikën. Pas disa viteve të kontributit, ajo u promovua në një pozitë të Farmacistit Kërkimor brenda Sistemit Mjekësor Montefiore.

Puna e saj hulumtuese tërhoqi vëmendjen e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, që i ofruan pozitën e Farmacistit Klinik në Kërkimet Shkencore në Mjekësi në Bethesda, Maryland, ku edhe punon që nga viti 2017.