Pasi bëri publike gjendjen financiare për herë të parë, u mësua se kompania arabe e naftës, Aramco, është më fitimprurësja në botë. Dhe jo thjesht, por dy herë më fitimprurëse se Apple, e cila shihej deri më sot si e para në botë.
Aramco ka fituar 111 miliardë dollarë në vitin 2018, sipas Moody’s. Kompania është duke u përgatitur që të blejë Korporatën Saudite të Industrive Bazë, një kompani shtetërore që merret me industrinë e përpunimit të naftës në Arabi. Blerja do t’i kushtojë 69.1 miliardë dollarë.
Apple, e cila u shpall kompania më fitimprurëse në botë vitin e shkuar, kishte fituar 59.4 miliardë dollarë. ExxonMobil, kompania më e madhe e naftës në SHBA, kishte fituar 20.8 miliardë dollarë. Dhe Shell-i holandez, kompania më e madhe e naftës në bursë, fitoi 23.4 miliardë.