Kush del më shumë për darka? Zbuloni qytetin verior në Shqipëri që shpenzon e më shumë se europianët

372

Thonë se ushqimi është një ndër kënaqësitë më të mëdha të jetës dhe se të paktë janë ata që e shijojnë vërtetë. Restorantet janë një biznes që aktivitetin e tyre e bazojnë te ushqimi dhe shërbimi.

Po cilët janë ato qytete në Shqipëri që shpenzojnë më shumë për të shijuar ushqime në restorante?

Të gjithë i njohim shkodranët si njerëz të qejfit, me humor dhe Shkodrën si djep i kulturës. Shkodra mban rekordin për shpenzimet në restorante dhe hotele, ku sipas të dhënave në Anketën në Buxhetit të Familjeve 2017, shpenzimet për restorantet dhe hotele ishin sa 9.5% e totalit të të gjitha shpenzimeve.

Mes tundimit nga krapi i liqenit, lokalet buzë lumit, apo alternativat e detit (Velipojës) e zonave malore aty rrotull, shpenzimet për restorante në Shkodër janë edhe më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, ku sipas të dhënave të Eurostat zinin rreth 8% në totalin e shpenzimeve të familjeve.

Krahasuar me mesataren kombëtare, familjet në Shkodër shpenzojnë gati dyfish më shumë. Në 2017-n shpenzimet mesatare në vend për restorante dhe hotele ishin 5%.

Shpenzimet për “Restorante dhe hotele” kanë regjistruar një rritje prej 11,8 %, krahasuar me vitin e kaluar, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve të nëngrupit “restorante”, raporton INSTAT në anketë.

Po cilët janë qarqet e tjera me shpenzimet më të larta në restorante?

Pas shkodranëve, shpenzimet më të larta në raport me totalin i kanë beratasit. Qarku i Beratit shpenzoi mesatarisht në 2017-n 6.3% për restorante dhe hotele, duke u pasuar nga Fieri (6%), Lezha (5.8%) dhe Tirana me 5.5%.

Korça, gjithashtu, i ka shpenzimet për restorante më të larta se mesatarja kombëtare me rreth 5.4% të totalit.

Në qarkun e Dibrës, shpenzimet për restorante dhe hotele në 2017-n ishin 4.2%.