Kushe Mica, themeluesja e shkollës së parë për gratë dhe vajzat shqiptare

32

Më 16 qershor 1832 në Shkodër lindi Kushe Mica, themeluesja e shkollës së parë për gratë dhe vajzat shqiptare. Familja e saj, për arsye konflikti gjakmarrjeje, u zhvendos në Shkodër nga Dukagjini. Karrierën e mësueses ajo e filloi në moshën 27 vjeçare. Ajo ishte një grua e vetë-mësuar, e cila për dhjetë vite studioi me farmacistin venecian Shjor Marko Rebeskin. Gjatë kësaj kohe ajo perfeksionoi gjuhët frënge dhe italiane.

Në vitin 1859 ajo hapi shkollën e parë për gra në Shkodër, të quajtur Shkolla e Kushe Micës. Shkolla u hap pavarësisht shumë pengesave të vendosura nga autoritetet osmane; ceremonia e hapjes ishte e thjeshtë, por me një pjesëmarrje të mirë. Shkolla mësonte shkrim, lexim, numra (aritmetike), vizatim, këngë (muzikë) dhe punë dore.

Shkolla u mbyll në vitin 1904, 45 vite pas themelimit të saj. Kjo shkollë nuk arriti të behej e njohur si shkolla e parë shqipe për arsyen se programi arsimor nuk ishte i dokumentuar dhe Kushe Mica nuk ishte në nivelin e duhur arsimor.