Kuvendi miraton TVSH 6% për hotelerinë

318
Vintage old hotel bell on the table

Në ditën e fundit para mbylljes së legjislaturës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi uljen e TVSH-së për akomodimin (fjetjen) në sektorin e turizmit në 6%, nga 20% që aplikohej deri tani. Vendimi erdhi pas një kërkese disavjeçare që ka bërë sektori.

Kjo masë ka dy përfitime kryesore sipas sektorit të akomodimit në vend: E para, e fut sektorin e akomodimit, por edhe të turizmit shqiptar në të njëjtin sistem fiskal me vendet e rajonit dhe shumicën e vendeve europiane dhe e dyta është një masë që do të stimulojë më shumë formalizimin e tregut.

Nga ana tjetër bizneset kanë mundësi që të ardhurat që kursejnë nga ulja e kësaj takse, t’i investojnë në trajnime për stafin e tyre, në investime, si dhe në një mundësi më shumë për të ofruar edhe çmime më konkurruese.

Formalizimi ka edhe aspekte të tjera pozitive sepse do të kemi statistika më të sakta, njohje dhe kontroll të tregut, planifikime më të mira, si dhe bazë më të ndershme konkurrueshmërie.