La Tiranën dhe punën si gazetar dhe hapi fermë gomaricash në fshat, Eltoni: Jam shumë i lumtur

38

Rasti i tij është frymëzues. Me një fermë të rrallë – vetëm të dytën të tillë në Shqipëri – Elton Kikia thotë se përmbushi veten.

Ai hoqi dorë nga profesioni i gazetarit dhe jeta në Tiranë, u kthye në fshatin e tij në Papër të Elbasanit dhe ka katër vjet që mban fermën e gomaricave.

“Nuk jetohet në fshat – është frazë që e dëgjoj shpesh”, thotë Eltoni. Por ky nuk është qendrimi i duhur, shton ai

Nga i erdhi ideja për fermë të gomaricave?

Ai tregon se për dy vjet ka lexuar dhe ka diskutuar me ekspertë të ekonomisë se ku mund të fokusohet për të pasur sukses.

“Nuk mjafton të jesh me origjinë nga fshati që të bëhesh fermer dhe të ngresh biznesin tënd. Të duhet të studiosh tregun fillimisht. Kisha shumë ide në kokë, kur befas lexova se sa të suksesshme ishin në botë fermat e gomaricave dhe aty e mora vendimin”, kujton ai.

“E nisa me pesë gomarica. Nuk ishte e lehtë as t’i gjeje, sepse janë kafshë në zhdukje. Më është dashur të bredh në çdo cep të vendit”, thotë Eltoni.

Ai tregon se këto kafshë janë të lehta për t’u mbajtur, pasi nuk kërkojnë ndonjë kujdes të veçantë veteriner dhe nuk preken nga sëmundje të rrezikshme. Gjithashtu, nuk shpenzon për ushqyerjen e tyre, sepse hanë çfarëdo në natyrë.

Nga pesë gomaricat me të cilat nisi punën, sot ka 35.

Qumështi i gomaricave është i njohur për vlerat ushqyese. Hulumtime të ndryshme tregojnë se ai ndihmon në rritjen e funksionit imunitar.

Qumështi i gomaricave është i njohur për vlerat ushqyese. Hulumtime të ndryshme tregojnë se ai ndihmon në rritjen e funksionit imunitar. Një fermë e ngjashme gomaricash gjendet edhe në Delvinë – pjesa jugore e Shqipërisë./ Marre me shkurtime nga REL