Lajm fantastik! Shteti më i madh i BE njeh patentat e Shqipërisë dhe Kosovës

21

Këtej e tutje konvertimi i patentave shqiptare dhe kosovare në Gjermani do të bëhet pa provime shtesë. Këtë e miratoi sot në Berlin, Këshilli Federal i Gjermanisë, me kërkesë të qeverisë federale.

Rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare të Gjermanisë (Bundesanzeiger), me shumë gjasa brenda dy javësh.

Rregullorja mundëson njohjen e pothuajse të gjitha kategorive të patentave nga Kosova dhe Shqipëria në Gjermani.

Rregullorja e re vlen vetëm për personat që kanë një vendbanim të rregullt në Gjermani dhe që e kanë bërë patentën përpara se të vinin këtu, i tha DW Matthias Borowski, zëdhënës i Ministrisë së Mobilitetit të Landit të Berlinit.

Kjo do të thotë, se kush ka ardhur pa patentë dhe e ka vendbanimin e rregullt në Gjermani, nuk mund të shkojë për pushime në Kosovë ose Shqipëri dhe të bëjë aty patentën. Ky fenomen, që në Gjermani njihet nën termin “turizëm patentash” është i ndaluar. “Patentat e marra gjatë pushimeve nuk do të njihen në Gjermani”, i tha Borowski Deutsche Welles.

Por çfarë do të thotë vendbanim i rregullt? Kjo përcaktohet nga koha e qëndrimit në një vend brenda një viti, nga i ashtuquajturi “rregulli i 185 ditëve”: “Sipas rregullit të 185 ditëve, vendi i banimit të rregullt është vendi ku banon së paku 185 ditë në vit.”

Shkurt. Nëse një migrant rezident në Gjermani dëshiron të bëjë patentën në Shqipëri ose Kosovë ai duhet t’u dëshmojë organeve gjermane se ka banuar së paku 185 ditë në vendin ku ka bërë patentën.