Lajm i mirë/ Kosova një hap më afër liberalizimit të vizave

19

Ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së e çojnë një hap përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ambasadorët autorizuan presidencën çeke që të vazhdojë procedurat.

Pas shumë shtyrjesh, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian i dhanë dritën jeshile procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Sipas këtij vendimi, presidenca çeke e Bashkimit Evropian tash do t’i nisë negociatat me Parlamentin Evropian si hapin e fundit para udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës.

Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është paraparë 1 nëntori i vitit 2023. Por, në rast se do të ketë vonesa për fillimin e implementimit të këtij sistemi, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Drafti ua mundëson qytetarëve me pasaporta të Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt BE-së për 90 ditë në periudhë gjashtëmuajshe.