Lajm i mirë për biznesin/ Shtyhet afati për garancinë sovrane deri në 30 qershor 2021

16

Ministria e Financave dhe Ekonomisë miratoi shtyrjen e afatit për aplikime në kuadër të skemës së garancisë shtetërore që synon rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar të ndikuar nga situata e krijuar nga COVID-19.

Vendimi i MFE-së erdhi pas kërkesës së Shoqatës Shqiptare të Bankave (SHSHB), e cila ka vlerësuar të nevojshme një shtyrje tjetër të afatit për aplikim sipas kësaj skeme kredidhënie të mbështetur me garanci shtetërore, në kushtet ku ka akoma subjekte të interesuara për të përfituar nga kjo skemë.

Afati shtyhet deri më datë 30 qershor 2021. Garancia sovrane mbulon 60 % të vlerës së kredive

“Shtyrja e afatit për aplikime deri në mesin e vitit 2021 do të mundësojë përfitimin nga një masë më e madhe biznesesh, aktiviteti, i të cilave është goditur nga pandemia e COVID-19”, argumenton MFE.

Sipas SHSHB-së, deri në fund te muajit dhjetor 2020, që përkon dhe me afatin e fundit për aplikime sipas skemës së kësaj garancie, kanë përfituar 308 biznese, kryesisht në sektorin e tregtisë, shërbimit apo prodhimit, në favor, të të cilave janë miratuar kredi, linja kredie apo overdrafte, në një vlerë totale prej rreth 8.95 miliardë lekë.

Deri në fund të vitit 2020, garancia shtetërore, e miratuar me një vlerë totale prej 15 miliardë lekë, të jetë përdorur në vlerën prej më tepër se 5 miliardë lekë (mbi 30 %).

Sipas MFE-së, bankat kanë aplikime që janë akoma në proces vlerësimi, të cilat në mënyrë të vazhdueshme e rrisin këtë vlerë të përdorimit të mbështetjes me garanci shtetërore.