Lajmi i mirë/ Gjermania jep 50 milionë euro për transportin e gjelbër në Tiranë

28

Gjermania dhe Shqipëria kanë nënshkruar një marrëveshjen ndërqeveritare për financimin e projektit ‘Transporti i Gjelbër i Tiranës‘ në shumën e 50 milionë eurove.

Projekti i publikuar nga Ambasada Gjermane në Tiranë bazohet mbi një studim të thelluar fizibiliteti për një sistem të shpejtë autobusësh në Tiranë, duke u përqendruar në problematikat që hasen në tre korridoret kryesor të kryeqytetit, përkatësisht linja lindje-perëndim nga Kinostudio në Kombinat, Unaza (unaza e tretë e Tiranës) dhe Tirana e Re (pjesa qendrore dhe perëndimore e qytetit) dhe ka si objektiv kryesor promovimin e një shërbimi transporti urban në Tiranë i cili të jetë si miqësor me mjedisin dhe klimën ashtu edhe i besueshëm dhe i përballueshëm për qytetarët e kryeqytetit.

Transporti urban publik shihet si shkaktar kryesor i ndotjes së ajrit në Tiranë. Tani me ndihmën gjermane i hapet rruga një projekti për transportin ekologjik.

KfW në Shqipëri, në zbatim të bashkëpunimit  financiar mes Gjermanisë dhe Shqipërisë siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme, thekson njoftim i ambadsadës gjermane në Tiranë.

Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria Gjermane, përmes KfW ka angazhuar një shumë totale prej 1.3 miliardë eurosh për sektorët kyç të furnizimit me ujë, menaxhimit të mbetjeve, energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duke u bërë kështu donatori kryesor bilateral me Shqipërinë.