Lajmi i mirë/ Nis puna për rrugën Qafë Thore-Theth

40

Ka filluar puna për rrugën Qafë Thore – Theth, 16 km e gjatë që lidh një ndër zonat më të bukura të Alpeve me Bogën dhe Shkodrën.

Investimi i shumëpritur nga banorët dhe turistët financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të projektit “Rrugët Lidhëse Rajonale dhe Lokale”.

Sipas FSHZH, rruga me gjatësi 16 km kalon nëpër një terren të vështirë dhe që në muajt e dimrit izolohet nga dëbora.Projekti do t’i japë zgjidhje problemeve që krijohen në qarkullim në muajt e dimrit si  bllokim i rrugës apo rreziqeve nga ortekët.

Projekti për këtë rrugë është pjesë e investimeve që rrjedhin nga Plani Sektorial i Turizmit për Rajonin e Alpeve Shqiptare, që bashkë me strategjinë e marketingut turistik dhe programin e investimeve për infrastrukturën vendore përbëjnë atë që njihet si Masterplani i Alpeve.