Lehtësimi i trafikut/ 5 tunelet te “Shqiponja” në Tiranë, si do të bëhet lëvizja

97

Marrin fund radhët e gjata kilometrike tek ish-sheshi Shqiponja. Por si do të bëhet lëvizja në këtë vepër infrastrukturore? Me përfundimin e projektit të gjithë drejtuesit e automjeteve që vijnë nga zona e Astirit do të përdorin galeritë nëntokësore për të udhëtuar në autostradën Tiranë-Durrës. Ndërsa ata që vijnë nga Durrësi drejt Tiranës, përdorin mbikalimin apo pikën zero të projektit që menaxhohet me semaforë.

“Kemi tunelin nr. 1 i cili, është aksi kryesor i Unazës që do të marrë trafikun nga Pallati me Shigjeta në drejtim të Bulevardit të ri apo unazës veriore. Kemi tunelin 2 i cili do të marrë trafikun nga autostrada Tiranë-Durrës me drejtim unazën veriore. Kemi tunelin nr. 3, i cili merr përsëri trafikun nga unaza jugore me drejtim autostradën Tiranë-Durrës. Tunelin 4 i cili merr trafikun nga unaza veriore dhe e nxjerr në drejtim të autostradës Tiranë-Durrës dhe tunelin 5 i cili merr të gjithë trafikun e autostradës me destinacion unazën jugore”, u shpreh Ermal Kondo, inxhinier i projektit.

Në total janë 1200 m tunel të ndërtuar me gjerësi nga 14 deri në 22 metra me dy sense levizjeje në të njëjtin drejtim.

“Në kontratë është parashikuar edhe ndërtimi i një qendre monitorimi të trafikut e cila do të monitorojë të gjithë sistemet e galerive, tuneleve dhe pjesën e niveleve zero, për të kontrolluar lëvizjen, kamerat, të gjithë sigurinë rrugore në këtë moment”.

Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë.