Leja e re e qarkullimit të mjetit me standardet e BE-së, ja përfitimet që keni

117

Leja e re e qarkullimit të mjetit, që prej ditës së hënë do të jetë plotësisht në standardet e BE-së.

Avantazhet direkte që sjell për qytetarët leja e re e qarkullimit të mjetit.

“Sot paguhet 3,500 lekë për lejen aktuale, certifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare të mjetit. Leja e re që unifikon dokumentet e mjetit në 1, do të kushtojë vetëm 2,100 lekë, -40%. Leja e re nuk do ketë vula kolaudimi, pra nuk bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale dhe nuk ka afat skadence. Leja e re përfshin të dhëna sipas kodeve të BE, datë regjistrimi për herë të parë, vit prodhimi, qiramarrës, etj”, thuhet në një njoftim të DPSHTRR-së.

Po ashtu, leja e re unifikon të dhënat dhe eliminon certifikatën e pronësisë së mjetit.

“Çdo vit, mbi 150 mijë qytetarë apo subjekte që konsumojnë shërbime për regjistrime të reja mjeti, ndërrim pronësie, humbje apo dëmtim, ndryshime konstruktive, e shërbime të tjera, dhe do të pajisen me Lejen e re të Qarkullimit, do t’u kursehen 210,000,000 lekë të reja, ose 1.75 milionë euro. Leja e re është shumë rezistente, nuk dëmtohet nga lagështia ose palosjet. Ajo përmban elementet e sigurisë si: watermark – logo identifikuese në brumin e letrës speciale që dallohet nëse shikohet përmes dritës; fluorescent fibres – fije fluoreshente që dallohen me rreze ultraviolet; fluorescent imprints – logo identifikuese e dallueshme me rreze ultraviolet; hologramë – stampë e shndritshme e integruar në materialin e letrës me dizajn të personalizuar”, thuhet më tej në njoftimin e DPSHTRR-së.

“Po ashtu leja e re do ketë edhe QR code drejtpërdrejt nga sistemi i DPSHTRR, mikrotekst, vizatim e grafika që ndryshojnë ngjyrën në këndvështrime të ndryshme drite, etj! Personalizimi (teksti) me puntim! Cilësia dhe vetitë e letrës së lejes së re do të jenë speciale, e njëjtë me dokumentet e qarkullimit gjermane! Eliminohet mundësia e manipulimit të të dhënave, për pasojë garantohet besueshmëria në qarkullim për çdo verifikim nga autoritetet brenda ose jashtë vendit! Leja e re do jetë më e vogël, me tre pjesë, më praktike si edhe me çdo të dhënë të mjetit, të kodifikuar! Falë cilësisë, sigurisë dhe përputhshmërisë me Direktivën 1999/37/EC e 29 Prillit 1999 (e përditësuar, 2014), ajo eliminon nevojën për Leje Ndërkombëtare Mjeti! Qytetari lehtësohet nga një tjetër kosto e angari që përsëritej çdo tre vjet. Leja e re do të jepet për veprimet e reja me mjetin dhe nuk do të jetë e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjetit”, informon DPSHTRR.