Alex Myteberi është shqiptari 6 vjeçar i cili i dërgoi Presidentit amerikan Barack Obama, një letër e cila frymëzoi jo vetëm atë por miliona amerikanë.
Në letrën që i kishte dërguar tri vjet më parë, Alex i kërkoi Obamës të dërgonte 5 vjeçarin, Omran Daqneesh në shtëpinë e tij për t’u kujdesur për të së bashku me motrën e tij Katerinën dhe të ndante lodrat dhe gjithçka tjetër bashkë me të.
Nëna e Aleksit, Valbona Myteberi ka treguar për ‘Euronews Albania’ historinë e letrës.
“Kur Aleksandri donte t’i shkruante letrën Omranit, në fillim u kujtova që do të harrohej, se ishte momentale, mbase jo serioze,” thotë ajo.
Nëna e 9 vjeçarit, megjithatë, thotë se ai filloi të fliste për Omran çdo ditë, kështu që vendosi t’i shkruante një letër presidentit të atëhershëm të SHBA Barack Obama.
Pas dorëzimit të letrës, Valbona rrëfen se nuk priste të merrte një përgjigje nga Shtëpia e Bardhë.
Ajo është akoma e entuziazmuar ndërsa kujton momentin kur zyra duke shkruar fjalimet e presidentit e telefonoi atë për ta ftuar të shkonte në shtëpinë më të famshme në botë.
“Kur mbaj mend momentin kur më thirrën dhe më thanë që presidenti e kishte marrë letrën, unë akoma emocionohem sot sepse të qenit refugjat në Amerikë nuk është e lehtë. Ishte me të vërtetë një moment i paimagjinueshëm,” thotë ajo.
Në Samitin e Refugjatëve, ku morën pjesë udhëheqës të shumë shteteve, Obama lexoi letrën e Aleksit për të dhënë një mesazh paqeje. Ish presidenti tha se ai dhe të tjerët duhet të mësojnë shumë nga fjalët e djalit.