Lionel Messi shkruan historinë, Argjentina kampione e botës

5

Lionel Messi ka realizuar ëndrrën duke e shpallur Argjentinën kampione të Botës pas një finaleje dramatike ndaj Francës.

Emocione pa fund në Katar, ku edhe pse u realizuan 6 gola sërish u desh goditja e penalltive për të përcaktuar kampionin, aty ku Argjentina u tregua më e saktë.

Të udhëhequr nga Messi e Di Maria, amerikanolatinët dominuan totalisht 45 minutat e para. Në minutën e 22 erdhi goli i parë, i cili u realizua nga Messi, që ekzekutoi në mënyrë perfekte një penallti të fituar nga Di Maria.

Pas këtij goli, Franca nuk mundi të reagonte në asnjë moment dhe në minutën e 36, Argjentina shënoi edhe golin e dytë, këtë herë me Di Marian, i cili shfrytëzoi maksimalisht një asist nga Mac Allister.

I shqetësuar me paraqitjen e të besuarve të tij, Deschamps hoqi nga fusha e lojës, Giroud dhe Dembele për Kolo Muanin dhe Thuram.

Ndërkohë, edhe pjesa e dytë nisi me Argjentinën dominuese dhe francezët të përgjumur. Por gjithçka ndryshoi në minutën e 81-të. Franca fiton penallti dhe Mbappe e kthen në gol. Dy minuta më pas, Mbappe shënon një tjetër gol, pas një aksioni fantastik dhe rikthen baraspeshën, duke e çuar ndeshjen në shtesë.

Edhe 30 minutat e shtesës kishin protagonist sërish Lionel Messin dhe Mbappe. Argjentinasi shënoi i pari, ndërsa menjëherë iu kundërpërgjigj francezi.

Te penalltitë, Argjentina u tregua më e saktë, duke e fituar për herë të tretë Kupën e Botës.