“Lonely Planet” rrëmbehet nga Shqipëria

118

“Mund të jeni të sigurt se Shqipëria është një vend i shkëlqyer për t’u eksploruar, nga kryeqyteti i gjallë i Tiranës në plazhet më të njohura të Rivierës Shqiptare”, shkruan prestigjiozja “Lonely Planet” duke i kushtuar një rëndësi të veçantë videos promovuese të turizmit në Shqipëri, realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Më poshtë vijon artikulli: Slogani më i ri turistik i Shqipërisë ka rrudhur disa vetulla me referencën e tij ndaj filmit “Taken” të vitit 2008. Në filmin “Taken” (që solli shumë pasoja) Liam Neeson luan rolin e një babai, vajza e të cilit është rrëmbyer nga trafikantët shqiptarë dhe është shitur në “tregun e seksit”. Meqë filmi nuk e paraqet Shqipërinë në mënyrën më të mirë, normalisht që zyrtarët e turizmit do të donin të distancoheshin krejtësisht nga kjo, por nuk ka ndodhur pikërisht kështu.

“Rrëmbehuni nga Shqipëria”, është slogani turistik i vendit, që iu shfaq botës në fund të shkurtit. Ndërkohë që mund të supozoni se zyrtarët e turizmit duan që ju të ”rrëmbeheni” nga malet e vendit, fjordet, plazhet me rërë të butë dhe vendet e lashta romake dhe greke, ata gjithashtu po i bëjnë një referencë të drejtpërdrejtë filmit “Taken” dhe reputacionit të vendit për krimin e organizuar.

Në një deklaratë në faqen e turizmit thuhet: “Në kulturën popullore, Shqipëria është ngjyrosur si një parajsë për banditë, kriminelë dhe gangsterë. Ndërsa e kuptojmë se perceptimi mund të ketë ardhur nga filma, si ‘Taken’, kjo është tërësisht e pavërtetë! Në realitet, Shqipëria është një vend i bukur dhe tepër i sigurt për t’u vizituar dhe jetuar.” Fushata përfshin një peticion për të sjellë z. Neeson për të vizituar Shqipërinë dhe një video që apelon më tej aktorin irlandez për të zbuluar se çfarë ka për të ofruar vendi mesdhetar.

“Hej Liam, ne na pëlqen të shohim filmat e tu dhe mendojmë se jeni shumë i talentuar”, fillon videoja promovuese. “Por ka diçka te mbetur pezull mes nesh për t’u diskutuar. Ju i keni bërë njerëzit në mbarë botën të mendojnë se ne shqiptarët jemi kriminelë, banditë, dhe gjithmonë në kërkim të vajzave për të rrëmbyer “.

Videoja përmban destinacione popullore shqiptare dhe turistë “të rrëmbyer” nga shumë sharme unike shqiptare si liqenet akullnajore, rrënoja të kështjellave historike, fjorde, flamingo, artizanati tradicional dhe mikpritësit vendas të etur për t’u treguar turistëve zonën përreth. “Ne jemi rrëmbyer nga Shqipëria. Tani është radha juaj “, thonë vizitorët kur përfundon videoja. Ndërsa bën një punë të madhe për të treguar se çfarë Shqipëria ka për të ofruar, fushata i ka ndarë njerëzit.

Disa njerëz mendojnë se është një mënyrë e zgjuar përdorimi i popullaritetit të vazhdueshëm të filmit për të filluar një tregim të ri, ndërsa të tjerët s’janë rehat me nevojën për t’iu referuar filmit dhe aspiratave të tij të dhunshme. “Telegraph”-i e cilësoi fushatën si një “hap të gabuar” me dëshirën për të lidhur z. Neeson me fushatën (megjithëse nuk është përfshirë zyrtarisht), duke shpjeguar se aktori po përballet me polemika pas një rrëfimit “thellësisht shqetësues” që ai bëri gjatë një promovimi të një filmi në shtyp këtë vit.

Cilat do qofshin mendimet tuaja për fushatën, mund të jeni të sigurt se Shqipëria është një vend i shkëlqyer për t’u eksploruar, nga kryeqyteti i gjallë i Tiranës në plazhet më të njohura të Rivierës Shqiptare. Vitin e kaluar kemi përfshirë Shqipërinë në listën tonë të dhjetë destinacioneve më të mira të pushimeve në Europë për 2018. Nëse nuk keni qenë ende këtu, mund të shikoni udhëzuesin e “Lonely Planet” për këshilla se ku të shkoni dhe çfarë të shihni.