Lushnja dhe Fieri, eksporte bujqësore në 19 shtete të BE-së gjatë tetorit

24

Tregjet dhe qendrat frigoriferike të grumbullimit të produkteve bujqësore që janë ngritur me mbështetje financiare të programit IPARD dhe qeverisë kanë rritur eksportet dhe të ardhurat e familjeve fermerëve.

Qendra e Eksporteve për rajonin e Vlorës, bën të ditur se rreth 6500 tonë fruta-perime janë eksportuar gjatë muajit tetor të këtij viti, shifër kjo me rreth 2 mijë tonë më shumë se vitin e kaluar.

Sipas ekspertëve ndonëse jemi jashtë sezonit të prodhimit të bollshëm, prodhimi në serra dhe qendrat frigoriferike kanë ndikuar që treguesit e eksporteve bujqësore të perimeve dhe frutave të jenë në rritje. Rreth 367 trajlerë me produkte bujqësore nga qendrat e grumbullimit në Lushnjë dhe Fier, janë eksportuar në 19 shtete të BE dhe vendet e rajonit gjatë tetorit 2020.

Ekspertët shprehen se, investimet në tregjet frigoriferike të grumbullimit, me një minimum prej 25 mijë euro dhe maksimum 2 000 000 euro kanë bërë që fermerët të organizohen e të dinë ku të kenë të garantuar 100% shitjen e produkteve të tyre.

Eksportet shqiptare kanë kryesisht destinacion, Italinë, Austrinë, Ukrainën, Bjellorusinë Gjermaninë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, etj.