“Made in Albania”/ Njihuni me dy produktet shqiptare më të eksportuara në botë

135

Tregu i huaj po tregon interes në rritje për eksportet e prodhimeve bujqësore  “Made in Albania”, ku dominon kërkesa për domatet shqiptare dhe kastravecin, krahas produkteve të tjera.

Nëse do t’i referohemi sasisë së kastravecit të eksportuar në tregjet e huaja, rezulton se ky tregues është 20 fishuar në harkun e 10 viteve të fundit.

Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2019 eksportet e kastravecit u rritën në mbi 22.2 mijë tonë, kundrejt 1.4 mijë tonëve që u eksportuan në vitin 2010.

Ndërsa importi i kastravecit është ulur me 50% për periudhën në fjalë.

Nga 1 mijë tonë importe të kastravecit në vitin 2010, në fund të vitit të kaluar importet e përgjysmuan në 486 tonë, bën të ditur Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Shifrat tregojnë se bujqësia po rritet me hapa të shpejta dhe cilësore duke ndikuar edhe në përmirësimin e bilancit tregtar të eksport -importeve që është ulur aktualisht në raportin 3 me 1, në favor të eksporteve shqiptare.

Qeveria po mbështet bujqësinë me financime përmes programit IPARD dhe Skemës Kombëtare për rritjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, si dhe agropërpunimit dhe agroturizmit, që prodhojnë të ardhura dhe zhvillim të ekonomisë rurale.