“Made in Albania”, prodhimet shqiptare në panairin më të rëndësishëm ndërkombëtar të ushqimit

109

Sipërmarrësit shqiptarë të industrisë ushqimore, do të bëhen pjesë e një prej panaireve më të rëndësishëm ndërkombëtar të ushqimit “WorldFood Poland”, që mbahet nga data 7 deri 9 mars 2019, në Varshavë, të Polonisë.

“WorldFood Poland” është një ekspozitë B2B e projektuar për industrinë e sektorit të ushqimit, dhe biznesi shqiptarë që operon në këtë sektor e sheh këtë event si një mundësi shumë të mirë për të zgjeruar bashkëpunimin jo vetëm në tregun polak por edhe mes vendeve pjesëmarrëse.

Kjo ngjarje për tre ditë me radhë do tu japi anëtarëve të industrisë mundësinë për të krijuar kontakte të reja, për të nxitur ato ekzistuese, për të vlerësuar kërkesën e tregut për produktet ose shërbimet e tyre dhe për të ndjekur trendet globale.

Ky event do të ofrojë mundësinë për të vizituar një numër paneli diskutimi dhe konferenca të posaçme për ushqimin dhe tendencat në industrinë ushqimore.

Industria agropërpunuese shqiptare pritet të përfaqësohet në këtë panair me prodhime tipike bujqësore të përpunuara, bimë medicinale por edhe prodhimeve shtazore që kanë nisur tashmë të eksportohen deri në SHBA.