Magjia e Karnavaleve në Shkodër

31

Festa e Karnavaleve ka gjallëruar për tri ditë me radhë rrugët dhe sheshet e qytetit të Shkodrës.

Mijëra qytetarë të veshur me kostumet shumëngjyrëshe dhe maskat veneciane kanë sjellë një atmosferë magjike në qytet.

Festa e Karnavaleve mbyllet sot me spektaklin e karvanit. Qytetarët e të gjitha moshave të veshur me kostume shumëngjyrëshe e maska parakaluan në rrugët e qytetit duke dhënë një pamje mbresëlënëse gjatë kësaj feste.

Ndërkohë pasdite do të bëhet edhe djegia e dordolecit, që simbolizon djegien e fenomeneve negative duke pritur ardhjen e stinës së pranverës.

Pjesë e festës sot është edhe performanca nga aktorët e teatrit “Migjeni”; muzikë nga banda e qytetit dhe këngëtarë; grupe të ftuar nga Tuzi dhe Korça.

Të premten e të shtunën u zhvillua parada e fëmijëve dhe performanca artistike nga shkollat dhe xhonglerët, si dhe punëtori për krijimin e maskave-facepainting, klounata. Në mbrëmje festa vijoi me spektaklin e dritave, ndërsa pas mesnate, grupe shëtitëse artistësh me veshje e maska veneciane mbushën baret e restorantet e qytetit.

Qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen është Shkodra. Festimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90.

Megjithëse mendohet të ketë origjinë pagane, në qytetërimin e krishterë perëndimor, festa e Karnavaleve njihet si festë fetare. Vetë emri i saj, në latinisht, nënkupton privimin nga ushqyerja me mish (carnem-levamen ose levare) në 40 ditët që i paraprijnë Pashkëve. Për këtë arsye, nuk ka një datë të caktuar për fillimin e festimeve pasi ajo ndryshon nga viti në vit, sipas Pashkëve.

Karnavalet njihen edhe për ironizimin që i bëjnë fenomeneve të pakëndshme shoqërore dhe nga ana tjetër Shkodra ka primatin e humorit intelektual, goditës dhe therrës. Kjo është një nga arsyet që Karnavalet për shkodranët njihen si “festa e syrretënve” të cilat kanë gjetur një terren të përshtatshëm për të hedhur rrënjë e për të lulëzuar në këtë qytet, ku festohen më bukur se kudo.

/ata.gov.al