Mandarinat, janë produkti i dytë shqiptar më i eksportuar gjatë dhjetorit

39

Në grupin e agrumeve, mandarinat “Made in Albania” renditen në vendin e dytë pas perimeve, për eksportet më të larta që kanë shënuar gjatë muajit dhjetor 2020.

Qendra e Eksporteve në Vlorë, bën të ditur se, “7200 tonë mandarina u eksportuan në 5 shtete, gjatë muajit dhjetorit 2020, shifër kjo 12% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2019”.

Tregjet rajonale janë tashmë destinacionet kryesore të eksportit të mandarinave shqiptare ku kryeson me sasinë më madhe Kosova, Maqedonia e Veriut ndërsa po vijon me kërkesë të shtuar edhe tregu i Serbisë, Ukrainës dhe Çekisë.

Sipas Qendrës së Eksporteve Vlorë, sasia më e lartë e eksportit ditor të mandarinave shënoi në mesin e muajit dhjetor 2020, me rreth 450 tonë, ndërkohë që eksportet mesatare ditore shënojnë 280 tonë mandarina.

Shqipëria ka një traditë të konsoliduar në prodhimin e agrumeve (portokaj, limona dhe mandarina), të përqendruar kryesisht në zonat jugore bregdetare të vendit.
Vitet e fundit prodhimi i mandarinave është rritur ndjeshëm. Ato përbëjnë rreth 2/3 e sasisë totale të prodhimit të agrumeve në Shqipëri. Nga më pak se 100 ha tokë që ishte e mbjellë me mandarina në vitin 2005, prej të cilave merrej rreth 1000 tonë prodhim, sot sipërfaqja e mbjellë me mandarina është rritur në 900 ha dhe prodhimi ka prekur shifrën e mbi 30 mijë tonëve në vit.