Marrëveshja me Slloveninë për katastrofat natyrore, Vengu: Hap për forcimin e kapaciteteve kombëtare

4

Ministri i Mbrojtjes prezantoi sot në Komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Sllovenisë për bashkëpunimin në mbrojtjen ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se, kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve tona kombëtare dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në përballimin e sfidave globale.

Ai theksoi se përmes kësaj marrëveshjeje sigurohet ndihmë e ndërsjellë në rastet e fatkeqësive, shkëmbim njohurish dhe përvojash teknike si dhe trajnim dhe zhvillim kapacitetesh në fushën e mbrojtjes civile.

“Partneriteti me Slloveninë në këtë drejtim, përforcon angazhimin tonë ndaj NATO-s, BE-së dhe organizatave ndërkombëtare, duke treguar se Shqipëria është një partner aktiv dhe i besueshëm”, nënvizoi më tej ministri.

Relatori i çështjes ftoi kolegët ta miratojnë atë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e Projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”.

Projektligji në fjalë u prezantua nga Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Relatorja e çështjes vlerësoi nismën ligjore si dhe ftoi kolegët ta miratojnë atë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Referenca: ata.gov.al