Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore mes Shqipërisë dhe Kanadasë, përfitojnë rreth 60 mijë qytetarë shqiptarë

96

Nënshkruhet marrëveshja për “Mbrojtjen Shoqërore mes Shqipërisë dhe Kanadasë si edhe Rregullores Administrative” ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë dhe Departamentit të Punësimit dhe Zhvillimit Social të Kanadasë.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është shmangja e mbulimit të dyfishtë për të njëjtën përiudhë dhe bashkimi i periudhave të sigurimit të realizuara në dy vendet. Në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Gjithashtu, pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’ju paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë. Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke mos humbur asnjë të drejtë.

Nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të përfitojnë rreth 60 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada.

Që nga viti 2015 Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje me 7 vende të Evropës, dhe aktualisht ndodhet në proces negociatash dhe me 4 vende të tjera ku jetojnë dhe punojnë qyetarë shqiptar.