Maskat veneciane ”Made in Albania”, nga Shkodra në gjithë botën

98

Në një atelie në veri të Shqipërisë, artistët pikturojnë dhe dekorojnë me dorë dhjetëra mijëra maska veneciane, që pjesëmarrësit e festivaleve duan t’i mbajnë gjatë gjithë sezonit të karnavaleve në mbarë botën.

Çdo vit, atelieja ”Angoni” eksporton deri në 30 000 copë, të gjitha unike, nga më të thjeshtat deri tek ato më ekstravagantet.

Pasi kishte punuar fillimisht në Itali, Edmond Angoni, 64 vjeç, hapi në Shkodër më 1997-n ”Venice Art Mask”. Sot ai ka të punësuar rreth 50 persona.

”Rreth 70% e prodhimit shkon drejt tregut të Venecias dhe pjesa tjetër shitet në Australi, Britaninë e Madhe, Francë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shpjegon ai.

Ndërmarrja disponon gjithashtu shtatë dyqane në Venecia, që i shërbejnë atij si vitrina për kineastët dhe producentët e teatrit që vijnë për të porositur.

Maskat janë shumë popullore në kohën e karnavaleve, por ndërmarrja punon gjatë gjithë vitit dhe disa prej tyre përdoren nga arti i shtatë.

Nicole Kidman dhe Tom Cruise, për shembull, mbanin maska Angoni në filmin ”Eyes Wide Shut” të Stanley Kubrick.