Matura Shtetërore, nis plotësimi i formularëve për aplikim, ja afatet

122

Puna për Maturën Shtetërore 2019 ka nisur më herët. Maturantët kanë filluar të plotësojnë formularin A1, fill pas pushimeve dimërore, që nga data 7 janar.

Plotësimi i formularit A1 do të përfundojë në datën 15 janar. Secili maturant u pajis me një kod dhe aplikoi në platformën e-Albania.

Teuta Dobi, anëtare e Komisionit të Maturës Shtetërore, tha: “Vitin e kaluar plotësimi i formularit u bë në mars, ndërsa këtë vit bëhet që në janar. Kjo është pozitive, pasi nxënësit e vendosin që në janar se kë do të kenë lëndë me zgjedhje”.

Një ndryshim tjetër është provimi me zgjedhje: “Vitin e kaluar ishin dy provime me zgjedhje, këtë vit është vetëm një. Dhe ai nuk është vendimtar për të ardhmen e maturantit, vendimtare janë lëndët që ka patur maturanti gjatë vitit”.

Maturantët kanë 4 provime gjithsej: Gjuhë e Huaj, Gjuhë-Letërsi, Matematikë dhe lëndën me zgjedhje. Provimi i parë do të jepet në 7 qershor dhe i fundit në 24 qershor.

Maturantët japin përgjigje të ndryshme. Dikush nuk e ka plotësuar formularin A1 deri ditën e fundit, pasi thotë se janë shumë të rinj për të marrë vendime të mëdha për jetën. Një tjetër thotë se u bën shumë mirë plotësimi kaq herët.

Puna për maturën nis që kur nxënësi fillon shkollën e mesme dhe në fund të ciklit 3-vjeçar kemi një maturant më të mirëinformuar.