Mbështetje për 180 fëmijë me aftësi të kufizuara, në Prrenjas nis puna për Qendrën Komunitare

15
Lajm i mirë për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara në bashkinë Prrenjas. Falë një financimi të Bashkimit Evropian, 180 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara në Bashkinë Prrenjas do të kenë së shpejti në dispozicion një ambient të ri që do të ofrojë shërbime të integruara në varësi të nevojave që ata kanë.
Prej disa ditësh, në qytetin juglindor ka nisur puna për vënien në funksion të qendrës komunitare për shërbime ndaj aftësisë së kufizuar, në kuadër të projektit me të njëjtin titull, “Qendër Komunitare për shërbime ndaj aftësisë së kufizuar”, që financohet nga European Union in Albania dhe zbatohet nga World Vision Albania në bashkëpunim me Bashkia Prrenjas.
Aktualisht stafi i projektit në bashkëpunim me Zyrën e Shërbimit Social në Bashkinë Prrenjas kanë identifikuar 79 fëmijë me aftësi të kufizuara në nevojë për të marrë shërbim të specializuar, ku 36 prej të cilëve janë aktualisht duke u trajtuar me shërbime të specializuara në logopedi, fizioterapi dhe terapi zhvillimi nga ekipi lëvizës i specialistëve.
Përfundimi i rikonstruksionit dhe kthimi i qendrës në funksionale do të bëjë të mundur që së shpejti të marrin shërbime më shumë fëmijë në më shumë hapësira, si dhe të organizohen më shumë aktivitete për të mundësuar përfshirjen sociale të tyre.
Fabiola, mamaja e Alesios, 12-vjeçar vjeçar, i cili merr shërbime nga ekipi lëvizës në bashkëpunim me mësuesit në shkollën ku mëson, thotë se: “Vënia në funksion e Qendrës Komunitare është një ndihmë e madhe, pasi shërbimi është më i plotë dhe më cilësor, ndërsa fēmija e ka më të lehtë të përqendrohet”.
Projekti 28-mujor është menduar si një ndërhyrje disaplanëshe, ku ekipi i Qendrës Komunitare së bashku me ekipin lëvizës do të ofrojnë shërbime të rregullta për 180 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara; në shtëpitë e tyre, në shkollat ku mësojnë, si dhe në Qendrën Komunitare.