Mbështetja për blegtorinë dhe bimët mjekësore, zgjerohet numri i fermerëve përfitues

13

Është rritur për të pestën herë numri i fermerëve përfitues nga Skema Kombëtare e mbështetjes në Bujqësi 2020.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural njoftoi uljen e vijës së financimit për fermerët aplikantë, të cilët kanë përmbushur kriteret e vendosura për masat mbështetëse Nr. 1 dhe Nr. 4.

AZHBR bëri të ditur se për masën 1: Tufa bazë e matrikulluar, do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 3402 nga 3389 aplikime që u përfshinë në uljen e parafundit të datës 14 shtator.

Për masën 4: Mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike, do të përfshihen në
fond aplikimet deri në numrin rendor 288, nga 269 të përcaktuara në uljen e parafundit.

Gjithashtu Agropikat janë në gatishmëri për dhënie informacioni të aplikantëve të cilët janë
brenda vijës së financimit.

“Afati i dorëzimit të dokumenteve shtesë për aplikantët që ndodhen mbi vijën e financimit është deri më datë 5 nëntor. Dorëzimi përtej këtij afati do të rezultojë me skualifikim të aplikimit, bën të ditur AZHBR.

Në total pranë AZHBR sipas afateve aplikuan 7653 individë që ndaheshin në shtatë masa mbështetëse.

E gjithë struktura e AZHBR-së, që nga pranuesi i aplikimeve në Agropika, deri tek ekzekutuesi i pagesës dhe dërgimi në thesar, po kryen të gjithë procesin në kohë rekord për disbursimin e financimit tek fermerët fitues.