Mbështetja për bletarinë, AZHBR: Deri tani 3 594 aplikime

6

Në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2023, deri tani kanë aplikuar 3 594 fermerë dhe subjekte në masën për mbarështimin e bletarisë.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se, interesi i fermerëve për të përfituar nga Skema Kombëtare është tejet i lartë dhe kjo falë mbështetjes financiare për këtë sektor, që ka qenë çdo vit prezente në dispozicion të tyre dhe veçanërisht të bletërritësve.

Prej vitit 2009, deri në vitin 2022, prej Skemës Kombëtare janë mbështetur 10.238 bletarë, për një numër prej 1.135.662 kosheresh dhe me vlerë financimi 1.06 miliard lekë.

Përmes këtij financimi është synuar rritja e mbarështimit të bletëve dhe prodhimit, ndërsa në sajë të mbështetjes nga programi IPARD II në sektorin e bletarisë është investuar në linja përpunimi, ambalazhimi dhe magazina për ruajtjen e produktit.

Bletaria është një nga sektorët i cili është parë gjithmonë me prioritet, duke u nisur nga rëndësisia dhe kontributi që po jep në zhvillimin e ekonomisë.

Skemë në mbështetje të fermerëve shërben për të ulur kostot e prodhimit duke përfituar nga skema naftë falas, fara, fidanë e investime të tjera sipas sektorit.

Për të përfituar fermerët aplikojnë online përmes portalit e-Albania në linkun: https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx… apo pranë 55 pikave që janë Agropika dhe zyra të bujqësisë në rrethe, ku ekspertët e bujqësisë asistojnë falas të gjithë ata që kanë nevojë.

Përfitues të Skemës do të jenë fermerë të serrave dhe tuneleve plastike, vreshtave, blegtorët, bletarët, peshkatarët dhe atyre që aplikojnë për certifikimet Global Gap dhe Organike.

Ndërkohë, skemat e vitit 2023 përfshijnë edhe grante për investime në asete fikse, për ndërtimin e tregjeve bujqësore dhe të kafshëve të gjalla dhe thertoret.

Gjithashtu pjesë e skemave të mbështetjes është edhe masa për naftën falas që vijojë për të tretin vit radhazi me një buxhet prej 1.4 miliardë lekë.

/ata.gov.al