Mbi 1 milionë gra kryen Kontrollin Mjekësor Bazë 3 vitet e fundit

16

1 029 823 gra të grupmoshës 35-70 vjeç kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë nga viti 2015, kur ka filluar ky shërbim.

Të dhënat i bëri publike sot Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Sipas këtyre statistikave rezulton se gratë janë më të kujdesshme për kryerjen e kontrolleve mjekësore, krahasuar me burrat.

Tendenca e kryerjes së kontrollit nga gratë ndër vite është mbi 60%.

Sipas statistikave të dala nga Kontrolli Mjekësor Bazë, çrregullimet kryesore të konstatuara janë: anemitë: 38% e grave në zonat rurale, 39% në zonat urbane; kolesteroli: 33% në zonat rurale, 34% në zonat urbane; pre-diabet dhe diabet: 22% në zonat rurale, 30% në zonat urbane.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ripërsëriti sot thirrjen ndaj qytetarëve që të bëjnë kontrollin e shëndetit pa pagesë, pasi parandalimi është më mirë se kurimi.