Mbi 13 mijë pacientë përfituan shërbimin e paketave shëndetësore falas

9

Më shumë se 13 mijë pacientë kanë përfituar falas këtë vit shërbimin e paketave shëndetësore të dializës, kardiologjisë, kardiokirurgjisë, transplantit të veshkës, implantit koklear dhe kataraktës.

Lajmi u bë i ditur nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

“Mbulimi Shëndetësor Universal është objektiv madhor i programit të qeverisë shqiptare në sistemin e kujdesit shëndetësor. Misioni ynë është që çdo qytetar ta fitojë kujdesin për të cilin ka nevojë, kur ka nevojë, në zemër të komunitetit”, theksoi FSDKSH.

Prej vitit 2015, pacientët shqiptarë përfitojnë paketat shëndetësore të nefrologjisë dhe kardiokirurgjisë pa pagesë, si në spitalet publike, ashtu edhe në ato jopublike. Pacientët përfitojnë 10 shërbime spitalore si dializa, transplanti i veshkave, terapia e flakjes akute, pacemaker definitiv, angiografi koronare, angioplastikë koronare, interventet valvolare, interventet kongenitale, bypass koronar, implanti koklear për fëmijët me probleme dëgjimi.

Këto paketa financohen 100 % nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe zbatohen në bazë të protokolleve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.

ata.gov.al