Mbi 1400 krerë dhi, mbi 500 krerë dele dhe rreth 140 lopë/ Njihuni me fermën e parë bio në Shqipëri (Fotot)

203

Në kullotat malore mes Pukës dhe Mirditës, në një sipërfaqe mbi 3 mijë ha, shtrihet ferma e parë dhe më e madhe bio në Shqipëri.

“7 Springs Bio Farm” është certifikuar për prodhimet organike sipas standardit europian dhe është e specializuar në prodhimet e mishit, djathit, qumështit dhe mjaltit. Mbi 1400 krerë dhi, mbi 500 krerë dele dhe rreth 140 lopë ushqehen në kullotë të lirë gjatë gjithë vitit me atë çfarë ofron natyra e pasur e kësaj zone.

Mjalti i kësaj ferme ka vlera të rralla ushqyese e kurative. Në fermë nuk përdoret asgjë e automatizuar, çdo proces kryhet si në kohët e vjetra, duke ndjekur traditat e të parëve. Kjo i bën të veçanta dhe me shije unike prodhimet e “7 Springs Bio Farm”.

Vlerë e shtuar e kësaj ferme është edhe fakti se bagëtitë janë kryesisht racë vendase dhe përpunimi i të gjitha produkteve bëhet brenda territorit të fermës në një cikël të mbyllur. Aty ka një baxho, dhoma frigoriferike dhe makina frigoriferike që shpërndajnë produktet brenda ditës tek klientët.

Armando Ndoka është shembulli i investitorëve, për të cilët ne kemi nevojë dhe meritojnë të mbështeten.