Mbi 150 mijë turistë vizituan muzetë, kalatë dhe parqet arkeologjike 3 muajt e fundit

27

Numri i vizitorëve gjithsej në muze, kala dhe parqe arkeologjike, në tremujorin e katërt të 2019-ës është 150 mijë e 634 vizitorë, duke shënuar rritje me 12,6 %, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar.

INSTAT publikoi të dhënat zyrtare, sipas së cilës, nga totali i vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore, 59.020 janë vizitorë në muze, 44.002 vizitorë në kala e monumente të tjera dhe 47.612 janë vizitorë në parqe arkeologjike.

Numri i vizitorëve në muze, kala e monumente të tjera, si dhe në parqe arkeologjike, për vitin 2019 është 1.065.081, duke shënuar rritje me 6,7 %, krahasuar me vitin 2018.

Vizitorët e huaj u rritën me 18.9%

Në tremujorin e katërt të 2019-ës, numri gjithsej i vizitorëve të huaj në muze, kala dhe parqe arkeologjike është 74.109, duke shënuar një rritje me 18,9 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2018. Në vitin 2019, numri i gjithsej i vizitorëve të huaj në institucionet e trashëgimisë kulturore është 585.350 vizitorë, 13,2 % më shumë, krahasuar me vitin 2018.

Gjatë tremujorëve të vitit 2019, në të gjithë institucionet e trashëgimisë kulturore vihet re një përqindje më e lartë e vizitorëve të huaj, krahasuar me tremujorët e vitit 2018, me përjashtim të tremujorit të tretë, njoftoi INSTAT.