Mbi 1700 vizitorë vendas e të huaj në Muzeun “Onufri”

0

Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat në dy muajt e parë të vitit ka shënuar fluks të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina, tha për ATSH-në se “në dy muajt e parë të vitit 2023 kemi pasur 1762 vizitorë që rezulton në rritje prej 173 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

Sipas tij, vizitorët janë vendas, por dhe të huaj kryesisht spanjollë, italianë, francezë etj.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Beratit dhe Myzeqesë.

/ata.gov.al