Mbi 53 mijë fermerë përfitues me naftë pa taksa gjatë 2023-shit

3

Është përmbyllur shpërndarja e kartave të naftës pa taksa për të gjithë fermerët aplikantë përfitues, për punime të mekanizuara në bujqësi, nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2023.

Për skemën e naftës falas, strukturat e AZHBR në bashkëpunim me AREB kanë filluar shpërndarjen e 20645 kartave shtesë të naftës tek fermerët përfitues.

Nëpërmjet kësaj mase, e cila ka për qëllim uljen e kostove, fermerët përfitojnë mesatarisht 70-100 litra naftë falas për çdo hektar tokë të mbjellë, në varësi të kulturave bujqësore.

Sipas MBZHR-së, interesi i fermerëve për të përfituar nga Skema Kombëtare ka qenë gjithnjë e në rritje dhe kjo falë mbështetjes financiare për këtë sektor, që ka qenë çdo vit në dispozicion të tyre.

MBZHR është e angazhuar për të çuar përpara mbështetjen për rritjen e prodhimin bujqësor vendas dhe njerëzit e punës.

Skema e naftës falas është një nga masat më të mirëpritura për fermerët, pasi u jep atyre mundësi të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin përdorimin e mekanizimit, aq më tepër në këtë periudhë të vështirë të krijuar nga rritja e çmimeve të mallrave të importuara.

/ata.gov.al