Mbi 54 mijë aplikime për naftë pa taksa, ul koston për fermerët

2

54.225 fermerë kanë aplikuar për të përfituar naftë pa taksa për bujqësinë, nga fondet e vëna në dispozicion për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për vitin 2024.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, 71,537 fermerë kanë aplikuar në total për subvencione në bujqësi, nga të cilët 69.510 janë fermerë individualë, 321 grupime fermerësh, 21 Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor.

Të dhënat tregojnë se nga 8 masa që do të financohen në tërësi, interesi më i lartë ka qenë për skemën e naftës falas për punime të mekanizuara në bujqësi, ndjekur nga aplikimet në blegtori me 9288 aplikime; për të vijuar me masat e mbështetjes për bletarinë dhe bimët aromatiko mjekësore.

Ministria e Bujqësisë bën me dije se tashmë, ka nisur procesi i vlerësimit administrativ të aplikimeve për t’i dhënë përgjigje të shpejtë dhe konkrete përmes financimit.

Fondi fillestar në dispozicion të Skemës Kombëtare 2024, është 32 milionë euro dhe për herë të parë, paratë për skemën e naftës do të kalojnë direkt në llogaritë e fermerëve. Aplikimet u hapën më datë 27 mars dhe u mbyllën më 19 prill.

/ata.gov.al